Lëreni Fëmijën të Zgjidhë problemin. Ndërtimi i Vetëbesimit dhe Mendimit Kritik te Fëmijët.
Shtator 25, 2023
Në botën e sotme, ku çdo gjë ecën shpejtë dhe ndryshon shpesh, aftësia për të zgjidhur probleme është një nga aftësitë më të rëndësishme që mund të zhvilloni te fëmijët tuaj. Tema "Lëreni fëmijën të zgjidhë" është një mënyrë e fuqishme për të ndihmuar fëmijët të zhvillojnë vetëbesim dhe aftësi mendimi kritik, që do t'i ndihmojnë ata gjatë gjithë jetës.
Le të shqyrtojmë një shembull të thjeshtë për të ilustruar këtë pikë.
Rasti i parë:
Imagjinoni se fëmija juaj vjen tek ju me një lodër të dëmtuar që ka ndodhur nga vet ai, dhe ju thotë: "ma rregullo". Nëse ju, si prindër, thjesht zbatoni kërkesën dhe rregulloni lodrën, automatikisht i krijoni fëmijës një lloj sigurie në mendjen e tij. Kjo do të thotë se ai gjithmonë do të zgjedhë rrugën më të lehtë për të zgjidhur jo vetëm problemin e lodrës (adresimi te prindi), por edhe çdo problem tjetër që mund të hasë në të ardhmen.
Rasti i dytë:
Tani, shikojmë të njëjtin shembull në një perspektivë tjetër: Nëse fëmija juaj vjen tek ju me të njëjtën lodër të dëmtuar dhe ju i tregoni udhëzime se si ai vetë mund ta rregullojë lodrën, duke e lënë atë të kryejë veprimin kryesor me udhëzimet tuaja, ky veprim i thjeshtë, por shumë domethënës, do të rrisë vetëbesimin e fëmijës tuaj se ai mund ta bëjë vetë, dhe do të jetë shumë më kritik në mënyrën e tij të menduarit për zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.
Ky shembull na tregon se sa e rëndësishme është që fëmijët të kenë një udhëzim nga prindërit, studimet kanë treguar se fëmijët bëhen shumë më të saktë në zgjidhjen e problemeve gjatë etapave të ndryshme të jetës nëse prindi e lejon fëmijën të zgjidhë problemin vetë, duke ofruar thjesht një udhëzim në raste kur mendohet se ka nevojë.
Etapat për zgjidhjen efektive të problemeve mësohen që në fëmijëri. Duke i ofruar fëmijës rrugën se si mund të zgjidhë problemin – qoftë kontrolli i duhur i emocioneve, kërkesa se si mund të zgjidhet, ose mënyra kritike e të menduarit – ju po i ndihmoni fëmijët të ndërtojnë aftësi të rëndësishme që do t'i duhen gjatë gjithë jetës.
Prindërit dhe edukatorët kanë një rol të rëndësishëm në ndihmën e fëmijëve për të zhvilluar këto aftësi të rëndësishme. Duke i ofruar fëmijëve udhëzimet e duhura, dhe lirinë për të eksploruar dhe zgjidhur probleme në mënyrë të pavarur, ju po i ndihmoni fëmijët të ndërtojnë një bazë të fortë për suksesin dhe vetë-përmirësimin në të ardhmen.