logo
ABCTirana

Teknologjia dhe Fëmijët: Si të Balancojmë Mes Aksesit dhe Edukimit

Shtator 27, 2023

Teknologjia ka bërë hyrje të madhe në jetën tonë të përditshme, dhe fëmijët nuk janë përjashtim. Shumë prindër ballafaqohen me pyetjen: "A duhet të lejoj fëmijën tim të përdorë teknologjinë moderne?" Kjo është një pyetje e ndërlikuar dhe ka shumë aspekte që duhen marrë parasysh.

Kur flasim për "teknologjinë", nuk është fjala vetëm për lojëra në celularë ose tableta, shfletimi në internet, ose përdorimi i aplikacioneve moderne për të kaluar kohën. Teknologjia është shumë më shumë se kaq. Studimet tona kanë treguar se fëmijët që kanë tendencën të përdorin paisje të kohës së fundit për të parë përmbajtje edukative të dizajnuara për fëmijë, kanë tendencën të mësojnë dhe të kuptojnë më shpejt. Shumë fëmijë (mosha 3 vjeç e sipër) në institucionin tonë kanë aftësinë të artikulojnë fjali të sakta në anglisht falë videove edukative që shikojnë, dhe janë të informuar mirë rreth shumë gjërave.

Por, a është kjo vërtet koncepti i teknologjisë?
Teknologjia duhet të shihet si një mjet për të zgjidhur probleme. Ky mjet, i lehtë për tu aksesuar por i pa kontrolluar, duhet të monitorohet, por jo të ndalohet.

Si mund të përfshini fëmijën tuaj në teknologji në një mënyrë të shëndetshme?

Edukimi Bazik mbi Teknologjinë:
Mësoni fëmijën tuaj mbi funksionimin e teknologjisë, duke filluar me internetin dhe pajisjet elektronike si laptopët, kompjuterët, tabletat dhe celularët. Duke e ditur se si funksionon një produkt ose shërbim, fëmija do të ketë tendencën të marrë më shumë kontroll mbi pajisjet elektronike të tij.

Monitorimi i Përmbajtjes:
Nuk është e nevojshme të ndaloni fëmijën tuaj të shikojë përmbajtje të ndryshme në internet, por këto përmbajtje duhet të monitorohen. Ka platforma dhe paisje që ofrojnë kontroll prindëror për të siguruar që fëmijët të aksesojnë vetëm përmbajtje edukative të përshtatshme për moshën e tyre dhe gjuhën e preferuar.

Përdorimi i Teknologjisë si Mjet për të Zgjidhur Probleme:
Nëse ndaloni fëmijën tuaj të kërkojë informacione dhe të përdorë teknologjinë për të zgjidhur detyrat e dhëna nga institucioni i edukimit, do të krijoni një disavantazh të madh për të në afat të gjatë. Është më mirë të ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë se si të kërkojë informacionin e duhur, si ta përpunojë këtë informacion dhe si ta mësojë dhe vetë.

Balancimi i Kohës:
Është e rëndësishme të monitoroni kohën që fëmija juaj shpenzon duke luajtur lojëra ose duke shikuar video. Mund të përdorni këtë kohë si një "shpërblim" pasi të gjitha detyrat ditore janë përfunduar.

Edukimi i Fëmijës për Rëndësinë e Teknologjisë:
Nëse fëmija juaj nuk ka dëshirë të mësojë rreth teknologjisë, mund të jetë sepse tematika nuk është e interesante për të, ose thjesht sepse nuk e gjen të domosdoshme në atë moshë. Është e rëndësishme të punoni me fëmijën tuaj për të kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë e teknologjisë në mënyrë të shëndetshme.

Në fund të fundit, ndalimi i plotë i teknologjisë do të sjellë një disavantazh të madh për fëmijën tuaj kur të jetë pak më i rritur. Fëmija do të ndihet i detyruar të mësojë shumë më shumë për të kompensuar kohën e humbur në përdorimin e teknologjisë. Përmbajtja, koha dhe informacioni që fëmija jep dhe merr gjatë përdorimit të këtyre teknologjive duhet të jetë i moderuar, por jo i ndaluar.

Teknologjia, kur përdoret në mënyrë të mençur dhe të kontrolluar, mund të jetë një mjet i çmuar edukativ për fëmijët. Ajo mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të tyre të menduarit kritik, të zgjidhurit të problemeve dhe të komunikimit. Prindërit dhe edukatorët kanë një rol të rëndësishëm në udhëzimin e fëmijëve mbi si të përdorin teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe efikase.

Në këtë botë digjitale, është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë të navigojnë dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme. Duke i ofruar fëmijëve udhëzime të qarta dhe mbështetje, si dhe duke i lejuar ata të eksplorojnë dhe të mësojnë në një mjedis të sigurt dhe të mbikëqyrur, ne po i ndihmojmë ata të jenë të gatshëm për të përballuar sfidat e ardhshme që teknologjia dhe bota digjitale do të sjellin.




Pyetjet më të shpeshta nga prindërit.

Fëmija im nuk ka dëshirë të mësojë rreth teknologjisë, dëshiron vetëm të luajë lojëra ose të shikojë video në aplikacione të ndryshme të cilat e kam të vështirë ti monitoroj:
Fëmija, është fëmijë, dhe në një grup me studentë të tjerë, ku ide të ndryshme lojrash dhe aplikacionesh mund të diskutohen në kohë të lirë, fëmija ka tendencën ta marrë këtë informacion dhe trend dhe ta përdorë. Kjo nuk do të thotë që është gabim, por më saktë ai po ndjek trendin e momentit, i cili gradualisht do ti merzitet vetvetiu. Por ju duhet të monitoroni kohën që fëmija do të shpenzojë në këtë lojë, dhe mund ta shërbeni këtë kohë si një "fitim", pasi të gjitha detyrat ditore janë përfunduar.

Fëmija im nuk ka dëshirë fare të ulet të mësojë:
Këtu janë dy faktorë pse mund të ndodhë kjo dukuri:
• e para është se mësimi që i jepet nuk është interesant mjaftueshëm për fëmijën që ai të tërhiqet nga tematika e teknologjisë;
• dhe e dyta është se thjesht nuk e gjen të domosdoshme në atë moshë. Është e rëndësishme të punoni me fëmijën tuaj për të kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë e teknologjisë në mënyrë të shëndetshme.